Wednesday, January 29, 2014

Komisioni i Jashtëm, debat për ambasadorët, Blushi kundër Gjinishit

Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin e Shqipërisë u përfshi nga debatet sot gjatë seancës dëgjimore për tre kandidatët për ambasadorë të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë: Pëllumb Qazimi në Republikën e Sllovenisë, Ermir Gjinishi në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Ilir Boçka në Republikën e Serbisë.

Anëtari i majtë i këtij komisioni, Ben Blushi doli kundër kandidaturës së Ermir Gjinishit. Sipas Blushit, Gjinishi gjatë aktivitetit të tij ka shkelur parimet kushtetuese të shtetit laik. “Kam dëgjuar disa komente të Ermir Gjinishit kundër laicitetit të shtetit. Nuk e di si është përzgjedhur kandidatura e tij”,- tha Blushi.
“Ka qenë partizan i futjes së ferexheve në arsim”,-shtoi më tej Blushi.
Menjëherë ka reaguar Gjinishi që ishte prezent në seancën dëgjimore.
“Nuk e di për çfarë rasti po flisni. Asnjëherë nuk kam cenuar shtetin laik. Gjithmonë kam respektuar të drejtat e njeriut”.
Kurse kryetarja e Komisionit, Arta Dade theksoi se “besoj tani që do jeni ambasador, do shkëpusni veten nga feja”.
Deputeti i Partisë Demokratike Kastriot Islami akuzoi mazhorancën se nuk po zbaton ligjin për shërbimin me jashtë.
“E kemi ngritur këtë shqetësim në mënyrë të vazhdueshme. Këtë mesazh ia adresoj edhe presidentit, që të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit”, u shpreh Islami.
Ndërsa deputetja e PS-së Arta Dade, e cila është edhe kryetarja e Komisionit të Jashtëm theksoi se nuk janë shkelur kuotat e emërimeve politike, por ajo kërkoi nga Ministria e Jashtme të emërojë më shumë gra si ambasadore.
Deputeti demokrat Aldo Bumçi kërkoi nga qeveria të paraqesë platformën e saj për shërbimin diplomatik si dhe të mbështesë diplomatët, të cilët janë lënë në listë pritjeje.
“Ministria e Jashtme nuk po paraqet platfotmën për shërbimin e jashtëm diplomatik. Ministria ka patur kohën e duhur dhe për herë të tretë ajo vjen pa raport në komision. Ajo ka nxjerrë në listë-pritjeje 52 diplomatë karriere dhe opozita gjykon se ata duhen mbështetur. Në aplikimin e paketës së re fiskale, elita e diplomacisë tatohet me 23 për qind duke ulur ndjeshëm pagat. Kjo gjë duhet të korigjohet sa më parë”, u shpreh Bumçi.